Ne

Gent Carrabregu

Unë jam kandidat  për gradën doktor shkence (Ph.D.) në Departamentin e Shkencave Politike të Northwestern University në SHBA, ku edhe punoj si ndihmës pedagog. Interesimet e mia akademike janë të përqendruara sidomos tek Idealizmi Gjerman (Kanti dhe Hegeli), Filozofia e Gjuhës, Teoritë Bashkëkohore të Demokracisë, Filozofia Politike Bashkëkohore (Habermas, Honneth, Rawls, Badiou, Rancière), Mendimi Politik i Modernitetit të Hershëm Europian (Bodin, Hobbes, Locke, Rousseau), Mendimi Politik i Republikës së Vajmarit (Schmitt, Strauss, Arendt, Heidegger, Benjamin, Kantorowicz) si dhe Kritika e Kapitalizmit (Marx dhe të tjerë). Disertacioni im i doktoratës bën fjalë për nocionin e gjykimit politik në traditën filozofike të Idealizmit Gjerman. Jam po ashtu i interesuar në histori intelektuale shqiptare, sidomos në mendimin politik të artikuluar nga intelektualët shqiptarë në Kosovë gjatë periudhës 1960-1999. Në këtë drejtim, jam duke punuar në një monografi studimore-kritike mbi mendimin politik të Ukshin Hotit. Për më shumë në lidhje me këtë klikoni këtu dhe këtu. Pjesë e kësaj pune në vazhdim e sipër është botuar si kapitull në librin Publikja Shqiptare, për të cilin mund të mësoni më shumë këtu. Mendimet e mia mbi aktualitetet politike e shoqërore mund t’i gjeni tek rubrika e kolumneve e Gazetës Jeta në Kosovë. Për më shumë mbi interesimet e mia kërkimore, klikoni këtu. Tekstin e plotë të tezës së magjistraturës mund ta gjeni këtu.

Arjada Bardhi

Unë jam studente në ndjekje të vitit të parë të studimeve të doktoraturës pranë Departamentit të Ekonomisë në Northwestern University të SHBA-ve. Përpara ardhjes time në Northwestern, kam përfunduar studimet universitare pranë Departamentit të Ekonomisë dhe Departamentit të Matematikës në Bates College (Maine, SHBA), duke diplomuar kështu me një diplomë të dyfishtë në këto dy fusha studimi, me një përqëndrim dytësor në çështje të Ligjit dhe Shoqërisë. Interesimet e mia akademike përqëndrohen kryesisht në teori mikroekonomike të pastër dhe të aplikuar (teori të vendimmarrjes, të lojës, të kontrollit optimal të burimeve shtetërore, ekonomi të informacionit), ekonomi matematikore, çështje të ekonomisë së zhvillimit (të vështruara nga një pikëpamje mikroekonomike), çështje të organizimit industrial, si dhe kritikë të ekonomisë neoklasike përmes lentes së ekonomisë së sjelljes. Gjatë katër viteve të studimeve universitare, disa nga projektet e mia kërkimore janë fokusuar në komercializimin e mikrofinancës në nivel global dhe sidomos në tregun shqiptar, në rolin institucional të mikrofinancës në Kosovën e pasluftës në tensionet etnike brenda territorit të Kosovës, në mendimin ekonomik të Gramoz Pashkos të artikuluar në shtypin akademik joshqiptar gjatë periudhës 1990-1994, si dhe në investigimin teorik të rolit të informacionit dhe investimeve kapitale fillestare në strategjitë e firmave në konkurrencë për R&D (Research and Development). Një version të plotë të tezës time diplomike në ekonomi mund ta gjeni këtu.

Lini një koment